Legjislacioni për peshkimin
Legjislacioni shqiptar në fushën e peshkimit është bashkëkohor dhe bazohet mbi parimet e shfrytëzimit të rezervave në mënyrë të përgjegjshme dhe zhvillimin e sektorit të peshkimit. Aktiviteti i peshkimit rregullohet nga Ligji 7908 date 5.4.1995,”Për Peshkimin dhe Akuakulturën”, Ligji 8763 date 2.4.2001 “Për një shtesë në Ligjin Nr 7908 datë 05/04/1995 “Për Peshkimin dhe Akuakulturën”” si dhe Ligji 8870 date 21.3.2002 “Për disa shtesa dhe ndryshime në Ligjin 7908, datë 5.4.1995 “Për Peshkimin dhe Akuakulturen”” si dhe Rregulloren 1dalë në zbatim të këtij Ligji, që kanë për qëllim vendosjen e rregullave të qarta për:
- shfrytëzimin racional dhe të përgjegjshëm të resurseve biologjike ujor dhe akuakulturës,
- administrimin në sektoret e peshkimit dhe akuakulturës,
- për të siguruar masat e ruajtjes,
- për të garantuar tutelën e resurseve biologjike ujore,
- për të siguruar një zhvillim të qëndrueshëm të sektorit të peshkimit dhe akuakulturës,
- për të siguruar kërkesat e konsumatorit, për nxitjen e kërkimeve shkencore e teknologjike.
Parimet e përgjithshme të këtij Legjislacioni mbështeten në “ Kodin e Drejtimit për një Peshkim të Përgjegjshëm“ të FAO. Në këtë ligj gjejnë pasqyrimin e tyre funksionimi i organeve konsultative qendrore dhe lokale, kërkimi shkencor, mënyra e të ushtruarit të veprimtarisë së peshkimit, mënyra e të ushtruarit të akuakulturës, mënyra e administrimit të lagunave dhe zonave të tjera ujore e limitrofe, mënyra e të ushtruarit të kontrollit, janë pasqyruar qartë kundravajtjet, sanksionet dhe përgjegjësitë..
Ky ligj përcakton gjithashtu, marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe vendeve të tjera për peshkimin dhe akuakulturën nëpërmjet lidhjes së marrëveshjeve me këto vende në fushën e peshkimit duke përcaktuar detyrimet e secilës palë, për të garantuar respektimin e normave që zbatohen në peshkim në Republikën e Shqipërisë.
Aktualisht janë punuar disa përmirësime të këtij legjislacioni me qëllim futjen e koncepteve të reja të bashkë-menaxhimit të burimeve peshkore, menaxhimin e porteve dhe qendrave të peshkimit nga ana e komunitetit si dhe ndarjen e përgjegjësive midis administratës dhe komunitetit të peshkimit. Propozimet e reja shkojnë në drejtim të organizimit të ri të “Shoqatave të peshkimit dhe krijimit të Organizatave të Menaxhimit të Peshkimit”, detyra themelore e të cilave do të jetë menaxhimi i “Porteve dhe Qendrave të Peshkimit” si dhe bashkë-menaxhimi i resurseve peshkore. Këto ndryshime janë miratuar me Ligjin e ri 8870 date 21.3.2002 “Për disa shtesa dhe ndryshime ne Ligjin 7908, datë 5.4.1995 “Për Peshkimin dhe Akuakulturën”.